Vlerësimi Mbarëkombëtar i Situatës së Qeverisjes Vendore

Këndvështrimi i qytetarëve rreth hapësirës në vendimmarje që ndikojnë në jetën e tyre

/files/star2/Star2_1  /files/star2/Star2_2

Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) prezantoi rezultatet e vlerësimit kombëtar me temë “Vlerësimi i Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri", projekti STAR 2 i udhehequr nga Bashkimi Europian përfshirë Suedinë, Italinë, Zvicër dhe USAID. Gjatë konferencës së zhvilluar në Hotel Tirana International, më 17 Tetor 2017, me pjesëmarrjen e partnerëve kryesore të projektit u paraqitën gjetjet perfundimtare të anketimit në kuadër të zbatimit të projektit ”Konsolidimi i reformës administrative dhe territoriale - STAR2”, i iniciuar në vitin 2016 nga qeveria shqiptare në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim - PNUD në Tiranë.

Projekti kombinon perceptimet e qytetarëve dhe vlerësimet e zyrtarëve bashkiakë mbi katër dimensione të mirëqeverisjes: Efektiviteti dhe Efiçenca, Transparenca dhe Sundimi i Ligjit, Llogaridhënia dhe Pjesëmarrja e Angazhimi Qytetar. Studimi u përfshi në 61 bashkitë e vendit, dhe ka përqasur një kombinim të teknikave të Barometrit të Qeverisjes Vendore dhe Kartës së Raportimit të Qytetarëve.

Në këtë ushtrim inovativ, sfidues e kompleks që u krye për herë të parë në Shqipëri, IDRA ishte organizata udhëheqëse për hartimin e metodologjisë së vlerësimit të qeverisjes vendore dhe të instrumenteve të kërkimit sasior dhe cilësor (për më shumë infomacion referojuni: Metodologjia e Vlerësimit të Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri). Në vazhdim, IDRA ishte përgjegjëse për zhvillimin e 20 raporteve individuale bashkiake si dhe për përgatitjen e raportit agregat ‘Vlerësimi Mbarëkombëtar i Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri’. Krahas raporteve individuale dhe atij kombëtar, IDRA konceptoi dhe ndërtoi "Platformën Online-Vlerësimi i Situatës së Qeverisjes Vendore". Për më shumë informacion referojuni: http://www.star2lgm.com/.

Në fjalën e tij të rastit, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i PNUD, Z. Brian J. Williams, u shpreh se: “Të kuptosh pikëpamjet e publikut rreth efektivitetit të qeverisjes vendore është thellësisht jetike. Pavarësisht se statistikat dhe masat e tjera janë të nevojshme për të verifikuar dhe matur atë që po ndodh me ofrimin e shërbimeve, ajo çfarë është e sigurt është se besimi tek institucionet nuk ekziston, nëse njerëzit nuk kanë perceptime pozitive mbi qeverinë e tyre. Aktualisht, institucionet shqiptare duhet të fitojnë më tepër besim nga qytetarët e tyre".

Stephen Stork, Shefi i Operacioneve pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri tha se: “Autoritetet vendore dhe rajonale janë jetike për jetën demokratike të çdo shoqërie demokratike dhe moderne. Performanca e vetëqeverisjes vendore është gjithashtu shumë e rëndësishme për qeverisjen e mirë meqë një pjesë e madhe e legjislacionit të BE-së do të zbatohet në nivel vendor”.

/files/star2/Star2_3  /files/star2/Star2_4

Në fjalimin e tij Z.Auron Pasha, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, partner lider në këtë projekt prezantoi metodologjinë e këtij vlerësimi si dhe gjetjet kryesore të studimit, të cilat vënë në dukje shumë sfida në secilin prej dimensioneve të përzgjedhura të qeverisjes.

Dimensionet e matura janë vlerësuar kundrejt një shkalle nga 0 deri në 100 dhe mesatarja e përgjithshme kombëtare tregon se 59/61 (97%) e bashkive vlerësohen nën 70, 40/61 (66%) nën 60 dhe 10/61 (16%) nën 50 duke treguar një nivel mesatar të qeverisjes vendore dhe hapësira të konsiderueshme për përmirësim. Nga të katër dimensionet e qeverisjes, bashkitë rezultojnë më mirë në Efektivitet dhe Efiçencë dhe Transparencë me një rezultat 60/100 ndjekur nga Llogaridhënia me rezultatin 56/100, dhe Pjesëmarrja dhe Angazhimi Qytetar me rezultatin 50/100.

Efektiviteti dhe Efiçenca, organizimi i brendshëm i bashkive dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve, si dhe niveli i kënaqësisë me shërbimet e bashkisë vlerësohen si mesatare. Të dhënat tregojnë mungesën e kapaciteteve të duhura për planifikim, buxhetim dhe zbatim, e cila përkeqësohet më tej nga mungesa e të dhënave të konsoliduara dhe të besueshme në nivel vendor dhe sistemet e pamjaftueshme të raportimit dhe monitorimit të performancës. Në sajë të ekzistencës së mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe të sistemeve për t’iu përgjigjur organeve mbikëqyrëse e deri në njëfarë pike edhe ankesave të qytetarëve, Llogaridhënia vlerësohet si mesatare. Mungesa e një sistemi të integruar për menaxhimin e ankesave dhe paaftësia për të gjurmuar ankesat e depozituara konstatohet në shumë prej bashkive. 

Transparenca dhe Sundimi i Ligjit vlerësohet me 56 nga 100. Gjetjet theksojnë mangësitë ekzistuese për të pasur akses në informacionin lidhur me shërbimet, aktivitetet dhe projektet e bashkisë. Kuadri ligjor institucional që garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët perceptohet gjerësisht si efektiv, megjithëse rritja e ndërgjegjësimit nga qeverisja vendore mbi ligjet dhe rregulloret vendore përmes faqeve të internetit ose medias publike konsiderohet si e pamjaftueshme. Perceptimi i qytetarëve për korrupsionin në nivelin e qeverisjes vendore vlerësohet si mesatar. Megjithatë, kur qytetarët pyeten mbi përvojën e tyre personale përballë praktikave korruptive, raportohet një vlerësim më i ulët. Strategjitë, planet dhe mekanizmat vendore për të luftuar korrupsionin në nivel vendor gjykohen si të pamjaftueshme duke bërë thirrje për ndërhyrje të mëtejshme.

Pjesëmarrja dhe Angazhimi i Qytetarëve vlerësohet me 50 nga 100 pikë në të gjitha bashkitë, duke përfaqësuar kështu elementin më të dobët të qeverisjes vendore. Gjetjet konstatojnë një kulturë të ulët të pjesëmarrjes demokratike, e nxitur kjo si nga qytetarët dhe nga qeverisja vendore. Në pjesën më të madhe të bashkive qytetarët nuk e shohin veten si partnerë në qeverisje dhe zhvillim. Gjetjet tregojnë se zyrtarët bashkiakë nuk shfaqin një kulturë të fortë për angazhimin e qytetarëve ose i shohin si jo të mirëinformuar për të dhënë këshilla cilësore.

Rezultatet tregojnë se ndërkohë që ekziston një kuadër institucional i përmirësuar për pjesëmarrjen, si qytetarët dhe zyrtarët bashkiakë e konsiderojnë aftësinë e organizatave vendore të shoqërisë civile për të lobuar, advokuar dhe ndikuar tek administrata vendore si të pamjaftueshme. Platformat dhe strukturat e disponueshme për pjesëmarrjen e komunitetit vlerësohen si mesatare dhe mekanizmat institucionalë të përdorur nga Koordinatorët e Konsultimit Publik dhe të Drejtës për Informim janë pjesërisht efektivë dhe duhet të riorganizohen.

Raporti ‘Vlerësimi Mbarëkombëtar i Qeverisjes Vendore’ (shqip)

Raporti ‘Vlerësimi Mbarëkombëtar i Qeverisjes Vendore’ (anglisht)

Latest Tweets

@htmlstream At vero eos et accusamus et iusto odio dignissimos. http://t.co/sBav7dm 5 hours ago
@htmlstream At vero eos et accusamus et iusto odio dignissimos. http://t.co/sBav7dm 5 hours ago
@htmlstream At vero eos et accusamus et iusto odio dignissimos. http://t.co/sBav7dm 5 hours ago